Rreth nesh
Një organizatë prindërish që përfaqëson këshillat e prindërve të të gjitha shkollave të qytetit të Tiranës.
Misioni ynë
Këshilli i Prindërve të Tiranës u themelua në tetor 2024 nga prindër vullnetarë të shkollave të qytetit, me qëllim që zëri i prindërve të qytetit të dëgjohet pranë institucioneve arsimore dhe vendimmarrësve vendorë e qendrorë.
Ne besojmë se një shkollë funksionon më mirë kur prindërit, mësuesit dhe drejtimi shkollor punojnë së bashku.
Në Këshillin e Prindërve të Tiranës çdo shkollë e qytetit përfaqësohet nga kryetari i zgjedhur i këshillit të prindërve të shkollës.
Vizioni
Një sistem arsimor në Tiranë ku çdo fëmijë ka një shkollë të sigurt, moderne dhe gjithëpërfshirëse.
Vlerat
Transparencë, bashkëpunim, respekt për fëmijët dhe mësuesit, dhe angazhim qytetar pa përfitim politik.
Pavarësia
Jemi një organizatë e pavarur, jofitimprurëse, e hapur për të gjithë prindërit e shkollave të Tiranës.
Kryesia e Këshillit
Kryetar
Benard Shehu
Përfaqësues, Këshilli i Prindërve të Shkollës "Dëshmorët e Lirisë"
Nënkryetar
Sekretar
Sekretar për Thesarin
Anëtarë
Përfaqësues të këshillave të shkollave të Tiranës
Dëshironi që këshilli i shkollës suaj të bëhet pjesë e organizatës sonë?
Na kontaktoniPesë komitete pune
Për të organizuar punën tonë, kemi ngritur pesë komitete pune.
Siguria e fëmijëve
Siguria në klasë dhe brenda shkollës, përreth shkollës, në transport dhe në aktivitete; siguria ushqimore dhe shëndetësore, ndihma e shpejtë.
Mësimdhënia dhe kurrikula
Përmirësimi i mësimdhënies, fuqizimi i rolit të mësuesit dhe i binomit mësues–fëmijë, kurrikula arsimore, baza materiale dhe metodat e mësimdhënies.
Këshillat e prindërve dhe komuniteti
Fuqizimi dhe organizimi i këshillave të prindërve, promovimi i një modeli funksionimi të provuar, rritja e financimit dhe e aktiviteteve, mbledhja e donacioneve.
Infrastruktura shkollore dhe rekreative për fëmijët
Përmirësimi i infrastrukturës së shkollave dhe shtimi e përmirësimi i hapësirave sportive e rekreative për fëmijët.
Ndryshimet ligjore
Verifikon ligjshmërinë e propozimeve tona, formulon ndryshimet ligjore dhe rregullatore, mbledh dhe mban të përditësuar bazën ligjore të arsimit parauniversitar dhe ofron ekspertizën tonë institucioneve që zbatojnë këto ndryshime.
Roli i komiteteve
- Roli kryesor i komiteteve është të ndihmojnë Këshillin e Prindërve të Tiranës (KPT) dhe anëtarët e tij me ekspertizë në fushën që u është caktuar.
- Në fillim të aktivitetit, komitetet përcaktojnë qartë prioritetet dhe perimetrin e punës së tyre, objektivat që duhen arritur, organizimin e punës dhe aktivitetet që do të ndërmerren gjatë vitit.
- Sipas fushës përkatëse, komitetet marrin informacionin që vjen nga anëtarët, prindërit ose institucionet, e grupojnë sipas çështjeve, e diskutojnë dhe përpilojnë një listë me rekomandime, kërkesa ose propozime për ndryshime.
- Komitetet monitorojnë institucionet rregullatore të arsimit parauniversitar për të ndjekur ndryshimet e propozuara prej tyre.
- Ato bashkëpunojnë me institucionet për të ndjekur zbatimin e rekomandimeve dhe kërkesave të dërguara nga KPT.
- Rekomandimet dhe kërkesat duhet të jenë të menduara mirë, të formuluara qartë dhe, kur është e nevojshme, të shoqërohen me ndryshimet ligjore përkatëse.
- Propozimet e finalizuara u njoftohen përfaqësuesve dhe dërgohen nga Këshilli i Prindërve të Tiranës institucioneve përkatëse.
Pjesëmarrja në komitete është vullnetare.
Si përfaqësues i këshillit të shkollës suaj, mund të merrni pjesë në komitetin që dëshironi. Ju këshillojmë të zgjidhni atë për të cilin mund të kontribuoni më shumë me eksperiencën tuaj.
Secili komitet ka grupin e vet në WhatsApp, ku zhvillohet puna, mbahen takimet dhe diskutohen propozimet dhe rekomandimet tona për secilën fushë.
Foto nga takimet tona
Momente nga mbledhjet e Këshillit dhe nga takimet e komiteteve të punës gjatë viteve 2024–2025. Klikoni një foto për ta parë të plotë.
