Informacion për prindërit
Ku të drejtoheni, çfarë të kërkoni dhe cilat procedura ndiqen kur preken të drejtat e fëmijës suaj në shkollë.
Institucionet dhe kompetencat e tyre
Zgjidhni institucionin sipas natyrës së çështjes. Në shumicën e rasteve, hapi i parë është shkolla.
Shkolla e fëmijës
Drejtoria dhe mësuesi kujdestar janë pika e parë për ecurinë, sjelljen, sigurinë dhe çështjet e klasës; psikologu, kur shkolla e ka.
Këshilli i prindërve të shkollës
Përfaqëson prindërit e shkollës suaj dhe ndërmjetëson me drejtorinë për aktivitetet dhe problemet e përbashkëta.
Udhëzues për këshillat →Drejtoria Arsimore Rajonale (DAR) Tiranë
Mbikëqyr shkollat e qarkut dhe është niveli ku drejtohen ankesat që nuk zgjidhen në shkollë.
Bashkia e Tiranës
Kujdeset për infrastrukturën, transportin, shërbimet sociale dhe mbështetjen vendore për shkollat.
Ministria e Arsimit dhe Sportit
Përgatit legjislacionin dhe politikën arsimore. I drejtoheni për çështje që prekin sistemin, jo vetëm një shkollë.
Këshilli i Prindërve të Tiranës
Koordinon këshillat e shkollave, përfaqëson prindërit në nivel qyteti dhe ju orienton drejt institucionit përkatës.
Na shkruani →Kontaktet zyrtare të institucioneve
Në këtë faqe nuk publikohen ende telefonat dhe adresat zyrtare të institucioneve. Për t'ju orientuar drejt zyrës përkatëse, shkruani Këshillit përmes faqes së kontaktit.
Na kontaktoniKush bën çfarë në shkollë
Njohja e roleve ju ndihmon të drejtoheni te personi i duhur që në fillim.
Bordi i shkollës
Organ mbikqyrës i shkollës. Miraton planin vjetor, shpenzimet e fondeve, dhe kurrikulën. Merr pjesë në procedurat e emërimit të drejtorit.
Drejtori i shkollës
Drejton shkollën dhe përgjigjet për zbatimin e rregullave, personelin, buxhetin dhe sigurinë.
Këshilli i prindërve
Përfaqëson prindërit, ndërmjetëson me drejtorinë dhe propozon aktivitete e përmirësime.
Mësuesi kujdestar
Ndjek ecurinë dhe sjelljen e klasës dhe është lidhja e parë me familjen.
Psikologu i shkollës
Mbështet fëmijët dhe prindërit për çështje emocionale e sjelljeje, ku shkolla e ka këtë shërbim.
Oficeri i sigurisë
Kujdeset për sigurinë brenda dhe përreth shkollës, ku është i caktuar.
Jo çdo shkollë ka psikolog ose oficer sigurie. Pyesni drejtorinë se cilat shërbime ofrohen dhe kush është personi i kontaktit.
Në raste urgjence
Kur ka rrezik për jetën, dhunë ose lëndim, veproni menjëherë dhe njoftoni shkollën.
112 — numri unik i emergjencës
Për rrezik për jetën, dhunë, aksident ose emergjencë shëndetësore. Telefononi menjëherë dhe jepni vendndodhjen e saktë.
Telefononi 112Brenda shkollës
- Drejtoria e shkollës dhe oficeri i sigurisë, kur ka.
- Mësuesi kujdestar për çështjet e klasës.
- Psikologu i shkollës për mbështetje emocionale, kur ka.
Çfarë të bëni
- Siguroni fëmijën dhe largojeni nga rreziku.
- Telefononi 112 nëse rreziku vazhdon ose ka lëndim.
- Njoftoni drejtorinë e shkollës dhe kërkoni ndërhyrje me shkrim.
- Shënoni datat, dëshmitarët dhe ruani dokumentet ose provat.
- Nëse shkolla nuk vepron, drejtohuni DAR-it të Tiranës.
Nëse shkolla nuk vepron
Nëse shkolla nuk përgjigjet ose çështja nuk zgjidhet, drejtohuni DAR-it të Tiranës me një kërkesë me shkrim, duke bashkangjitur datat dhe përgjigjet e marra.
Për çështje që prekin të gjitha shkollat, njoftoni edhe Këshillin.
Për urgjenca që nuk kërcënojnë jetën, filloni nga shkolla. Kështu çështja dokumentohet dhe ndjekja bëhet më e qartë.
Urgjenca kibernetike
Në rastet e urgjencës në lidhje me krimin kibernetik, kontaktoni menjëherë Policinë e Shtetit. Ruani provat dhe mos i fshini bisedat ose mesazhet.
Policia e Shtetit — Drejtoria për Hetimin e Krimit Kibernetik
Pranon denoncime për veprime të paligjshme në sistemet kompjuterike, përfshirë rastet që prekin fëmijët. Denoncimi bëhet përmes formularit online të Policisë së Shtetit.
Çfarë të bëni menjëherë
- Nëse fëmija është në rrezik të menjëhershëm, telefononi 112.
- Ruani provat: pamje ekrani, lidhjet, emrat e përdoruesve dhe datat.
- Mos fshini bisedat dhe mos e përballoni situatën vetëm.
- Njoftoni shkollën dhe kërkoni mbështetje nga psikologu, kur rasti lidhet me nxënësin.
Ndihmë psikologjike
Fëmijët dhe prindërit mund të kërkojnë ndihmë pa turp dhe pa etiketa. Filloni nga personi më i afërt në shkollë.
Nisni nga shkolla
Kërkoni takim me psikologun e shkollës përmes mësuesit kujdestar ose drejtorisë. Jo çdo shkollë e ka këtë shërbim; drejtoria ju njofton për alternativat.
Mësuesi kujdestar
Është personi që e njeh fëmijën çdo ditë dhe mund të vërejë ndryshime në sjellje, pjesëmarrje ose rezultate.
Shërbimi shëndetësor
Mjeku i familjes ose qendra shëndetësore bëjnë vlerësimin fillestar dhe, kur duhet, referojnë te specialisti.
Mbrojtja e fëmijës
Në rast dhune, neglizhence ose rreziku, njoftoni punonjësen sociale në shkollë si dhe njësinë e mbrojtjes së fëmijëve pranë bashkisë ose telefononi 112.
Këshilli nuk ofron shërbim psikologjik klinik.
Ju orienton drejt shërbimit përkatës dhe mbledh shqetësimet e përbashkëta të prindërve për t'i çuar te institucionet.
Shkelje e të drejtave të fëmijës
Në rast shkelje të të drejtave të fëmijës, kontaktoni Komisionerin për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Fëmijëve pranë Avokatit të Popullit.
Komisioneri për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Fëmijëve
Institucion pranë Avokatit të Popullit që mbron dhe promovon të drejtat e fëmijëve. Ankesat dorëzohen përmes faqes zyrtare të institucionit.
Kur drejtoheni
- Kur shkolla ose institucionet nuk marrin masat për të mbrojtur fëmijën.
- Kur keni përgjigje me shkrim nga shkolla dhe DAR-i, por çështja nuk zgjidhet.
- Për çështje që prekin të drejtat e fëmijës në shkollë, në familje ose në shërbimet publike.
- Kur një situatë e raportuar më parë nuk ka marrë zgjidhje.
Aktet kryesore që ju prekin
Këto akte përcaktojnë të drejtat e prindërve, funksionimin e këshillave dhe mbrojtjen e fëmijës.
- Ligji nr. 69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë” — Të drejtat dhe detyrimet e prindërve, organizimi i shkollave dhe kompetencat e institucioneve arsimore.
- Rregullorja e miratuar me Urdhër nr. 31, datë 28.1.2020, të ministrit përgjegjës për arsimin — Rregullon funksionimin e institucioneve arsimore parauniversitare, përfshirë këshillat e prindërve në shkollë dhe në klasë (nenet 89, 91 dhe 92).
- Udhëzimi nr. 25, datë 25.7.2018, “Për ngritjen dhe funksionimin e bordit të institucionit arsimor” — Përcakton përbërjen, zgjedhjen e anëtarëve dhe mënyrën e funksionimit të bordit të shkollës (neni 34 i ligjit nr. 69/2012).
- Ligji nr. 18/2017, “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës” — Mbrojtja e fëmijës nga dhuna, neglizhenca dhe shfrytëzimi, si dhe shërbimet e mbrojtjes.
- Ligji nr. 119/2014, “Për të drejtën e informimit” — E drejta për të kërkuar dhe marrë informacion nga institucionet publike, përfshirë dokumentet e shkollës që prekin prindërit.
Tekstet ndryshojnë. Për versionet e konsoliduara dhe të fundit, konsultoni Qendrën e Botimeve Zyrtare ose kërkoni tekstin përkatës nga shkolla.
Procedurat kryesore
Rendi i hapave ndihmon që kërkesa të dokumentohet dhe të ndiqet deri në përgjigje.
1 Regjistrimi në klasën e parë
- Informohuni pranë shkollës së zonës ku banoni për afatin dhe dokumentet.
- Regjistrimi bëhet sipas udhëzimit të Ministrisë për vitin shkollor.
- Ruani konfirmimin e regjistrimit dhe kopjet e dokumenteve.
2 Transferimi në një shkollë tjetër
- Kërkoni me shkrim procedurën pranë shkollës ku dëshironi të transferohet fëmija.
- Shkolla konfirmon nëse ka vend dhe cilat dokumente nevojiten.
- Ndiqni konfirmimin me shkrim dhe ruani kopjet.
3 Ankesa për çështje shkollore
- Filloni me mësuesin kujdestar dhe drejtorinë e shkollës.
- Paraqisni ankesën me shkrim, me data dhe fakte.
- Nëse nuk zgjidhet, drejtohuni DAR-it dhe më pas Ministrisë.
- Mbani kopje të çdo kërkese dhe përgjigjeje.
4 Kërkesë për informacion
- Kërkoni me shkrim dokumentet që ju prekin: rregulloren, vendimet, buxhetin.
- Përcaktoni qartë informacionin dhe periudhën që kërkoni.
- Kërkoni përgjigje me shkrim dhe shënoni datën e dërgimit të kërkesës.
5 Takim me drejtorinë
- Kërkoni takim me shkrim dhe përcaktoni temën.
- Shkoni me përfaqësues të këshillit të prindërve, kur është e mundur.
- Mbani procesverbal dhe kërkoni përgjigje me shkrim për vendimet.
6 Zgjedhja e këshillit të prindërve
- Ndiqni udhëzimin në fuqi për zgjedhjet e këshillit.
- Mblidhni prindërit e klasave dhe zgjidhni përfaqësuesit.
- Dokumentoni mbledhjen dhe regjistroni këshillin pranë shkollës.
Nuk gjeni përgjigjen?
Përshkruani shkurtimisht situatën dhe shkollën. Këshilli ju orienton drejt institucionit përkatës ose procedurës që duhet ndjekur.
Shkruani Këshillit